Lamtumirë Kosovë tha Flamur Klaiqi nga Kamenica e Kosovës!
Edhe një ikje nga Kosova,
Edhe një shpresë e humbur në Kosovë
Edhe një familje e shuar në Kosovë!
Edhe një shtëpi e mbyllur në Kosovë e hapur në Gjermani!

Ikja e sotshme nuk po duket shumë e trishtuar, sikur koha e Naçertanjës, dhe planet e tij të viteve 1844 duke vazhduar me Qubrilloviçin dhe ikjet e shqiptarët në vitet 1877 – 1912.
Nuk po duket edhe sikur shpërnguljet e kohës së mbretërisë Serbo-Sllovene-Kroate!
Nuk po duken edhe si shpërnguljet e viteve të territ nga Millosheviqi!
Por po ngjason pak sikur koha e Rankoviqit në Kosovë, kur shqiptarët shisnin çdo gjë vetëm që të shkonin në tokën e premtuar, sepse zullumi dhe propaganda ndaj shqiptarëve ishte e madhe!
Kështu mashtroheshin shqiptarët në atë kohë, se Turqia është vendi i juaj dhe identitetit tuaj ngjason me atë të Turqisë.
Sot edhe shpërnguljet janë pak më moderne për dallim nga vitet e mëhershme, sepse po shpërngulen shqiptarët të lumtur, deri diku me një shpresë për të ardhmen, sepse zullumi e humbjes së shpresës është më i madh se ai fizik.
Së fundmi, pse shqiptarët ikin, e ka zanafillën nga, vitet e territ kur u mbyllën shkollat, fabrikat institucionet, u shtua represioni nga regjimi Millosheviqian në Kosovë.
Në Shqipëri në kohën e transicionit, u shkatërrua çdo gjë që mundë të thuhej industri sepse ishte një propagandë, që edhe gruri komunist nuk duhet konsumuar.
Në Kosovë pas luftës, u kopjua Shqipëria dhe u shkatërrua çdo gjë, që kishte gjasa të quhej industri, që kishte mbetur nga shkatërrimi i luftës, por tani u shkatërrua nga një dorë që nuk dihet e kujt ishte, megjithatë u ndihmua edhe nga ne vet.

Tani ku jemi, po ndodhë avazi i filluar nga ata të lartpërmendurit, plani i Naçertanës, Qubrilloviçit, Rankoviqit, Millosheviçit.
Pra po ikin shqiptarët, me shpresën se do ta krijojnë një të ardhme të mirë për vete dhe për familjen e tyre, e sidomos për këta fëmijë që i shihni duke e përqafuar babin e tyre, se po shkon në Gjermani dhe së shpejti do ti merr me vete edhe këta.
Po më qan zemra, po më qan shpirti, sepse e di që kjo familje, po humbë për gjithmonë.

Këta djem dhe vajza, gra e burra, fëmijë nuk do të kthehen më kurrë dhe Kosova po tjetërsohet, po lehet në dorë t´ fatit, ka rrezik të ndryshohet edhe demografia dhe Kosova do të quhet vetëm Prishtinë, ashtu edhe si po e quan Vuçiqi dhe kompania e tij.
Njerëz, atdheu po shterohet në heshtje pa u hetuar, nga Kosova janë 120 000 aplikime për viza për çdo muaj.
Politikë e kujt është kjo?
Plan i kujt është ky?
Fotoja e përdorur e mare nga Facebooku i Flamur Klaiqit me lejen e tij.
Shkruar nga Skenderbeg Klaiqi
18.09.2022
Discussion about this post