Anëtarja e kryesisë së partisë gjermane SPD, shqiptarja Albana Tërstena, ka folur në Kongresin e të Rinjve Socialist, ku ka rrëfyer nën shumë emocione për mallin që kishte për Kosovën.
Ajo, përpara të pranishmëve në gjuhën shqipe tregoi për kërkesën që kishte për babain e saj duke thënë se “po du me shku në Kosovë”, duke treguar kështu dashurin për vendin që ajo kishte qysh e vogël.
“Ishte viti 2001. Unë vrapova nga kuzhina për në dhomë dhe u ula në prehrin e babait e i thashë: “Babi dua të kthehem në Kosovë”, ka thënë Tërstena, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ajo përmendi edhe numrin e shqiptarëve të vrarë në luftën e fundit nga Serbia, ku tha se mbi 14 mijë shqiptarë mbetën të vrarë, në mesin e tyre 1 mijë e 392 fëmijë e mbi 20 mijë gra e vajza të dhunuara.
Tërstena foli edhe për largimin e familjes së saj nga Kosova ku tha se “ishte viti 1995 kur unë dhe familja ime u deshtë ta lëshojmë vendlindjen tonë të dashur.
“Të detyruar nga dhuna dhe presioni, babi im u detyrua të ikë nga regjimi serb. Neve na priste një shtëpi e re, në Bashkimin Evropian në Gjermani”, theksoi Tërstena, njofton Klankosova.tv.
Anëtarja e rinisë së SPD-së shtoi se të njëjtin fat sikur populli i Kosovës e ka dhe ai në Ukrainë.
“Që nga 24 shkurti 2022, gratë, vajzat dhe fëmijët janë viktimat kryesore të luftës të nisur nga Rusia. Ata po vriten dhe po përdhunohen në mënyrën më brutale. Njëjtë sikur në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitin 1995 dhe vendlindjen time të dashur Kosovën, në vitin 1999-të”.
“Atëherë dhuna u shkaktua nga regjimi serb dhe Putini po e përdorë të njëjtën taktikë. Këto janë krime të luftës”, është shprehur Tërstena
Discussion about this post